“Duhet te Lirohet” U tha per Thacin, por ja cfare ndodhi ne Hage…

Luka Misetic, avokati i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar Gjykatës Speciale që ta shpallë klientin e tij të pafajshëm dhe ta lirojë menjëherë, në përmbledhjen përfundimtare të gjykimit që fillimisht ishte dorëzuar në mënyrë konfidenciale më 19 janar 2026.

Së fundmi, më 27 mars, mbrojtja e Thaçit ka dorëzuar “versionin publik të redaktuar të përmbledhjes përfundimtare të gjykimit”, i cili është publikuar edhe nga gjykata.
Në përfundim të kësaj përmbledhjeje, Misetic shkruan: “Trupi Gjykues kërkohet ta shpallë THAÇIN të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës dhe të urdhërojë lirimin e tij të menjëhershëm.”

Misetic thekson se “rezultati i vetëm i drejtë i këtij gjykimi është shpallja e pafajësisë së THAÇIT për të gjitha pikat e aktakuzës.”
“Megjithatë, nëse Trupi Gjykues vendos të shqyrtojë dënimin, THAÇIT duhet t’i jepet lehtësim,” thuhet në dokument.

Avokati i Thaçit argumenton se “dënimi maksimal i mundshëm është 15 vjet.”

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të detyruara nga Kushtetuta. Neni 33(2) i Kushtetutës thotë: ‘Asnjë dënim për një vepër penale nuk duhet të tejkalojë dënimin e paraparë me ligj në kohën kur është kryer vepra penale.’ Neni 33(4) thotë: ‘Dënimet vendosen në përputhje me ligjin në fuqi në kohën kur është kryer vepra penale, përveç nëse dënimet në një ligj të mëvonshëm janë më të favorshme për kryerësin.’ Është e qartë se, në rast konflikti midis Ligjit dhe Kushtetutës, Kushtetuta mbizotëron. Si rrjedhojë, ky Trup Gjykues duhet të përcaktojë dënimin maksimal që ishte i paraparë me ligj në vitet 1998 dhe 1999,” thuhet në përmbledhjen përfundimtare të mbrojtjes së Thaçit.

Duke iu referuar rastit të Salih Mustafës, mbrojtja e Thaçit thotë se Paneli i Apelit, i cili sugjeroi se Gjykata Speciale ka të drejtë të vendosë një dënim më të lartë se ai i paraparë nga ligji vendor, “është qartësisht i gabuar.”

“Asgjë në Ligj nuk mund të mbizotërojë mbi ndonjë dispozitë kushtetuese që e kundërshton atë. Thënë thjesht, Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur autoritet ligjor të miratojë Ligjin, apo ndonjë ligj tjetër, që është antikushtetues,” thuhet në dokument.

Avokati i Thaçit gjithashtu thekson se Gjykata Speciale “është e ndaluar nga Kushtetuta të vendosë një dënim më të madh se 15 vjet, edhe për krime sipas së drejtës zakonore ndërkombëtare.”

“Të paktën, Trupi Gjykues është i obliguar të marrë në konsideratë diapazonin e dënimeve në fuqi në kohën relevante dhe çdo diapazon më të butë të mëvonshëm për veprën, sipas ligjit të Kosovës, kur përcakton dënimin për një person të shpallur fajtor për një krim sipas së drejtës ndërkombëtare, në përputhje me nenin 44(2),” thuhet në dokument. Sipas mbrojtjes, kjo përfshin edhe Kodin Penal të ish-Jugosllavisë.

“Si rrjedhojë, Trupi Gjykues duhet të marrë parasysh diapazonin e dënimit në kohën e kryerjes së veprës, nga 5 deri në 15 vjet, i cili gjithashtu përbën diapazon më të favorshëm krahasuar me versionet e mëvonshme të Kodit Penal të Kosovës. Trupi Gjykues duhet të marrë parasysh edhe jurisprudencën e Kosovës të kohës ose të lidhur me të njëjtën vepër dhe konflikt të armatosur kur përcakton dënimin,” thuhet më tej në dokument.

Misetic i kërkon Trupit Gjykues “të marrë parasysh disa rrethana lehtësuese.” Ndër të tjera, ai thekson se “nuk do të kishte Dhomat e Specializuara të Kosovës, as Zyrën e Prokurorit të Specializuar, nëse nuk do të ishte për përpjekjet e THAÇIT.”

Avokati përmend gjithashtu dorëheqjen e Thaçit nga posti i Presidentit të Kosovës më 5 nëntor 2020 dhe dorëzimin e tij vullnetar në Gjykatën Speciale.

“Së treti, edhe gjatë ushtrimit të detyrës si Kreu i Shtetit, THAÇI ka dhënë intervista të plota për Zyrën e Prokurorit të Specializuar në disa raste, duke dëshmuar bashkëpunim të mëtejshëm me Dhomat e Specializuara të Kosovës,” thuhet në dokument.

“Së katërti, Trupi Gjykues ka dëgjuar prova të shumta se THAÇI ka bërë deklarata të shumta në favor të bashkëjetesës paqësore mes popujve dhe u ka bërë thirrje shqiptarëve që të mos kërkojnë hakmarrje ndaj fqinjëve të tyre serbë në verën e vitit 1999, për çka ka marrë vlerësime nga shumë dëshmitarë në këtë gjykim. HILL ka dëshmuar se THAÇI nuk ishte tip personi që do të kryente dhunë ndaj të tjerëve, ndërsa COVEY ka dëshmuar në mënyrë të ngjashme,” vazhdon përmbledhja përfundimtare e mbrojtjes.

Avokati thekson gjithashtu se Thaçi “është liruar përkohësisht katër herë dhe në çdo rast ka respektuar urdhrat e Trupit Gjykues dhe ka treguar sjellje shembullore.”

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi më 9 shkurt në Gjykatën Speciale në Hagë dëgjuan kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që secili prej tyre të përballet me një dënim të gjatë me burg për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, në fillim të deklaratës përmbyllëse, kërkoi 45 vjet burgim për secilin prej ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë që nga fillimi i nëntorit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se ata ose i kanë kryer këto krime, ose kanë qenë në dijeni për to.

You may also like...