Nuk e morën pagën e 13-të, por Albin Kurti ka lajm të mirë për punëtorët e sektorit privat
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës pritet ta procedojë në Kuvend Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, një ndërhyrje ekonomike me vlerë rreth 200 milionë euro, e cila synon të mbështesë qytetarët më të prekur nga rritja e çmimeve.
Sipas tij, fokusi kryesor i kësaj pakete është ofrimi i ndihmës së menjëhershme për punëtorët e sektorit privat, të cilët janë ndikuar ndjeshëm nga rritja e kostos së jetesës.
“Qeveria po ndërmerr hapa të shpejtë për të siguruar lehtësim të menjëhershëm për pensionistët dhe punëtorët që përballen më së shumti me pasojat e inflacionit,” u shpreh Murati. “Kjo paketë është konceptuar për të ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e fuqisë blerëse dhe për të mbështetur kategoritë që kanë më shumë nevojë për përkrahje financiare.”
Ai theksoi se, përveç pensionistëve dhe punëtorëve të sektorit privat, përfitues do të jenë edhe fëmijët që marrin shtesa si dhe studentët, duke shtuar se synimi është përfshirja e sa më shumë kategorive të ndjeshme në shoqëri.
Murati bëri të ditur se kjo paketë pritet të shqyrtohet dhe të miratohet në Kuvend gjatë ditëve të ardhshme, duke u konsideruar si një nga masat kyçe të Qeverisë për përballimin e situatës aktuale ekonomike.